Volt Shqipëria: Një Frymë e Re në Politikën Shqiptare?
Volt Shqipëria nuk është thjesht një parti politike, por një vizion për një Shqipëri ndryshe. Si degë e Volt Europa, lëvizja e parë pan-europiane, ne synojmë të sjellim frymën e bashkëpunimit dhe politikave të bazuara në fakte, duke adresuar sfidat më të rëndësishme që has vendi ynë sot.

Volt Shqipëria nuk është thjesht një parti politike, por një vizion për një Shqipëri ndryshe. Si degë e Volt Europa, lëvizja e parë pan-europiane, ne synojmë të sjellim frymën e bashkëpunimit dhe politikave të bazuara në fakte, duke adresuar sfidat më të rëndësishme që has vendi ynë sot.
Si lindi Volt Shqipëria?
Volt Europa u krijua në vitin 2017 si një përgjigje ndaj sfidave të përbashkëta evropiane, si Brexit, rritja e populizmit dhe mungesa e bashkëpunimit të vërtetë mes shteteve. Në Shqipëri, Volt erdhi si një nevojë për të ndryshuar mënyrën se si bëhet politika, për t’u dhënë qytetarëve një zë dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë.
Një moment historik për Volt Shqipëria
Më 17 Nëntor 2024, Volt Shqipëria mbajti për herë të parë dhe Asamblenë e saj të parë, duke më zgjedhur mua si presidentin e parë të kësaj lëvizje që synon të bëhet parti. Së bashku me bordin dhe anëtarët e tjerë, kam nderin të udhëheq këtë projekt si një student dhe si një qytetar që beson se Shqipëria ka potencial për t’u bërë një model zhvillimi në rajon e pse jo, edhe në Europë. Ky moment shënon fillimin e një epoke të re, ku qytetarët shqiptarë do të kenë një alternativë pragmatiste të bazuar në transparencë, barazi dhe rezultate të arritshme.
Në Asamblenë e Përgjithshme të Volt Europës, në fjalimin hapës theksova rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie që vendos njerëzit në qendër të politikës dhe zhvillimit. Për ne, politika nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për të sjellë ndryshim real dhe të qëndrueshëm.
Qëndrimet tona dhe vlerat që na udhëheqin
Volt Shqipëria mbështetet në tre shtylla kryesore: transparencë, progres dhe solidaritet. Ja disa nga prioritetet tona:
Të ndalojmë valën e emigracionit pasi thuajse mbi 60% e të rinjve janë të idesë që duan të largohen dhe ne duam ta ndalojmë këtë duke ofruar mundësi për rritje ekonomike, punësim dhe mirëqenie sociale në vend.
Të promovojmë politika të gjelbra, pasi niveli i ndotjes së ambientit është në nivele tepër të larta, nuk është rastësi që Tirana është dhe një prej qyteteve me riskun më të lartë të kancerit të mushkrive në Europë, dhe synojmë ta realizojmë duke mbrojtur mjedisin dhe duke investuar në energji të rinovueshme.
Të fuqizojmë rolin e grave dhe të rinjve, duke i bërë ata aktorë kryesorë në politikë dhe në zhvillimin e vendit.
Çfarë synojmë?
Volt Shqipëria nuk është vetëm për të rinjtë apo profesionistët, është për çdo qytetar shqiptar që dëshiron një të ardhme më të mirë. Ne mirëpresim fermerët që kërkojnë mbështetje për tokat e tyre, sipërmarrësit që duan politika favorizuese, gratë që luftojnë për barazi dhe studentë që ëndërrojnë për një sistem arsimor më të drejtë. Çdo qytetar ka një histori dhe një kontribut për të dhënë, dhe ne jemi këtu për të siguruar që askush të mos mbetet pas.
Në zgjedhjet e vitit 2025, Volt Shqipëria synon të sigurojë përfaqësim në Parlamentin Shqiptar. Kjo nuk është vetëm një sfidë politike, por edhe një përgjegjësi për të treguar se politika mund të bëhet ndryshe.
Thirrja jonë për bashkëpunim
Volt Shqipëria është një lëvizje e hapur për të gjithë ata që duan të jenë pjesë e ndryshimit. Ftojmë qytetarët, profesionistët dhe të rinjtë të bashkohen me ne, si mbështetës apo anëtarë aktivë, për të ndërtuar së bashku një Shqipëri, Europiane, që reflekton potencialin e saj të vërtetë. Bashkimi në Volt është i thjeshtë! Ju mund të bëheni anëtar përmes regjistrimit në faqen tonë zyrtare, ku mund të kontribuoni si vullnetar në projekte lokale apo të merrni pjesë në aktivitetet tona publike. Na kontaktoni për më shumë detaje ose vizitoni faqet tona në rrjetet sociale për të ndjekur zhvillimet e fundit. Ndaj, tani dua ta mbyll me një shprehje që citova gjatë Asamblesë së Përgjithshme:
BOLL MË ME SHQIPËRINË NË EUROPË, LE TA SJELLIM EUROPËN NË SHQIPËRI!
Ardit Minarolli
Co-President i Volt Shqipërisë