Volt Albania kundër mbylljes së TikTok: Një qasje e nxituar që cenon lirinë e shprehjes

Në një epokë dixhitale dhe demokratike, vendimet për të kufizuar aksesin në rrjete sociale duhet të jenë të mirëmenduara dhe të mbështetura në studime të thelluara, jo në reagime të nxituara ndaj ngjarjeve tragjike. Vendimi i fundit i qeverisë shqiptare për të mbyllur rrjetin social TikTok është një shembull i gabuar i trajtimit të një problemi kompleks si dhuna tek të miturit.

Si Co-President i Volt Shqipërisë, jam pyetur nga Radio Evropa e Lirë për të ndarë mendimin tim në lidhje me këtë çësht

28 dhj 2024

1. Mbyllja e TikTok nuk është vendimi i duhur

Mbyllja e një platforme sociale si TikTok është një masë ekstreme që kufizon lirinë e të shprehurit, një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta. TikTok, si çdo platformë tjetër, mund të ketë përmbajtje problematike, por përgjegjësia bie mbi mënyrën si përdoret, jo mbi ekzistencën e tij. Në vend që të ndalojmë platforma, duhet të ndërtojmë struktura rregullatore që të adresojnë problemet pa cenuar liritë.

 

2. Nevojitet një rregullator efektiv, jo ndalime drastike

Unë kam gati edhe një draft konkret për krijimin e një strukture posaçme brenda AMA-së (Autoriteti i Mediave Audiovizive). Kjo strukturë do të funksiononte si një rregullator për postimet në rrjete sociale, duke garantuar që përmbajtja e papërshtatshme të filtrohet pa nevojën për mbyllje totale. Me një kosto prej 6-8 milionë euro për ngritje dhe trajnim profesional dhe rreth 2 milionë euro në vit për mirëmbajtje, ky model është ekonomikisht i realizueshëm dhe shumë më efektiv sesa mbyllja totale e saj. Në fakt, shifra është e përballueshme për buxhetin e qeverisë, veçanërisht krahasuar me të ardhurat e tjera, si marrëveshja me qeverinë Italiane prej 19 milionë eurosh në vit për kampin e refugjatëve.

 

3. Mbyllja nuk adreson shkakun e dhunës tek të miturit

Rasti tragjik i një të mituri, përdorur si justifikim për mbylljen e TikTok, ka nxjerrë në pah gabime të tjera. Siç konfirmuan raportimet, as viktima dhe as autori i ngjarjes nuk kishin llogari në TikTok. Për më tepër, videot pas ngjarjes u postuan në një tjetër platformë, SnapChat. Kjo tregon se problemi nuk qëndron te platforma specifike, por te mungesa e edukimit dhe kujdesit në familje dhe në shkolla.

 

4. Zgjidhja fillon nga edukimi

Problemet si dhuna tek të miturit kanë rrënjë të thella në familje dhe në sistemin arsimor. Duhet të përqendrohemi në forcimin e zinxhirit të edukimit, duke nisur nga familja si themel i parë i zhvillimit social, dhe duke rritur angazhimin e stafit pedagogjik në shkolla.

Volt Albania beson se vendimet që prekin qytetarët dhe liritë e tyre duhet të jenë të mirëstudiuara, të qëndrueshme dhe në përputhje me të drejtat themelore të njeriut. Në vend të ndalimeve drastike, le të ndërtojmë struktura më të forta dhe të investojmë në edukim për të ardhmen e brezit të ri.

Ardit Minarolli

Co- President i Volt Shqipërisë